Delegacioni i deputetëve të grupit të Gjelbërt/Aleanca e Lirë Evropiane (Green/EFA) në
JUL 01 2026 · 18:25
Delegacioni i deputetëve të grupit të Gjelbërt/Aleanca e Lirë Evropiane (Green/EFA) në Parlamentin Europian përfundoi të mërkurën misionin faktmbledhës për kërcënimin që po i bëhet Zonës së Mbrojtur të lagunës Vjosë-Nartë nga një projekt turistik, në kundërshtim me standardet e Bashkimit Evropian, si edhe për të parë nga afër protestat e përdithshme në Tiranë kundër qeverisë. Eurodeputetja holandeze Tineke Strik në një konferencë për mediat nga Europa House në Tiranë tha se nga vizita në terren në Zvërnec – ku u rrethua toka dhe u bënë disa punime për t’i hapur rrugën projektit, kishte dëmtuar në mënyrë tronditëse dhe serioze këtë zonë. “Dëmet e shkaktuara deri tani përbëjnë shkelje të qarta të Direktivës së BE-së për Shpendët dhe Direktivës për Habitatet”, tha ajo, ndërsa shtoi se janë dëmtuar dunat e rërës, pyjet, ligatinat dhe është bllokuar lidhja mes detit dhe lagunës. Por, Strik pranoi se pavarësisht justifikimeve për këtë projekt, qeveria shqiptare nuk kishte dhënë garanci për mbrojtjen e mëtejshme të zonës. “Ministri këmbënguli se këto ndërhyrje ishin të nevojshme për kryerjen e vlerësimit të ndikimit në mjedis,” tha ajo. “Ne i shpjeguam se nuk mund të ndërtosh fillimisht dhe më pas të vlerësosh nëse ndërtimi është i pranueshëm”, shtoi Strik duke përshkruar bisedën me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj. Duke e perifrazuar këtë bisedë me shumë ‘mospajtime’, Strik tha se ministri kishte premtuar një afat 20 ditor për konsultime publike dhe ishte justifikuar për mungesën e tyre me faktin se projekti bëhet në një pronë private, gjë që për eurodeputeten nuk qëndron pasi bie ndesh me standardet e BE-së. “Megjithatë, nuk morëm asnjë garanci se aktivitetet do të ndalen”, theksoi ajo duke shtuar se “shqetësimet tona mbeten”.
Source: instagram.com
Part of Flamingo Revolution · Watch in the documentary